Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Kuvend protestat kundër qeverisë, duke i cilësuar ato si një gjë të natyrshme në demokraci.
Rama ka ironizuar opozitën, duke thënë se është e dhimbshme që protestuesit nuk i pranojnë në tubime.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos pranohesh as t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme. Dhe fakti që vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.
Për buxhetin, Rama tha se ai është historik, pasi për herë të parë ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove.
“Tabaku tha se paskam ardhur këtu për kartonin, jo, unë kam ardhur këtu për të bërë fjalën hyrëse lidhur me një buxhet që është historik, pasi për herë të parë ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove. Ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt, por edhe për rritjen e mundësive të ekonomisë sonë. Është i rëndësishëm edhe për faktin që kjo shumicë, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë me këtë buxhet, ul drejtpërdrejt atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vijuar të rrisë mbështetjen për pensionistët”, shtoi më tej Rama.
“Shqiptarët mos i bëni për budallenj, se ujë në bisht të lugës ju japin, dhe ujë në bisht të lugës do t’ju japin edhe më 9 maj”, tha Rama duke iu referuar zgjedhjeve lokale.









