Katër persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjarje e ndodhur më 25 tetor të këtij viti. Sipas raportimeve, 4 personat janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së 49-vjeçares.
Sipas informacioneve të para, të arrestuarit janë të afërm të familjes së ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt. Mes tyre është edhe ish-vjehrra e Arlindës, Nurije dhe ish-kunati i saj Driton Sylaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nurije Sylaj, ish-vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, ish-kunati i saj, dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale ‘vrasja e rëndë’.
Njoftimi i prokurorisë:
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njoftojnë opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër (4) persona për 48 orë.
Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N. S. dhe D. S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale ‘vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M. P. Dhe G. B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’ nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen.
Në kuadër të procedurës penale, prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë rrethanave të rastit.
Brenda afatit ligjor, prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe u vra me të sëpatë, mbrëmjen e të dielës, 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Autori i dyshuar i vrasjes, kunati i saj Albert Sylaj, u arratis menjëherë pas krimit dhe kapja e tij u bë e mundur pas tre ditëve. Zekaj u gjet e vrarë vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje, ndërsa tri ditë krimit, përmes një letre të hapur Prokurorisë në Pejë, viktima kishte njoftuar për rrezikun. Pavarësisht alarmit të ngritur dhe ankesave të saj ndaj institucioneve, rasti përfundoi në tragjedi me vrasjen e 49-vjeçares.
Pas vrasjes së saj, janë pezulluar nga detyra 13 zyrtarë, mes tyre kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi, si dhe 11 zyrtarë policorë.









