Një person i shpallur në kërkim në Turqi, ndaj të cilit rëndonin 101 dosje për vjedhje dhe mashtrim, është arrestuar nga policia në qytetin e Mersinit. Për t’i shpëtuar identifikimit dhe arrestimit, ai kishte kryer edhe një ndërhyrje estetike në fytyrë për të ndryshuar pamjen e tij.
Sipas mediave turke, personi i identifikuar me inicialet R.B. ishte në kërkim për një dënim të formës së prerë prej 15 vitesh, 9 muajsh dhe 22 ditësh burg.
Hetimet zbuluan se ai kishte ndërmarrë disa masa për t’iu shmangur policisë. I shumëkërkuari nuk përdorte adresat e tij zyrtare të banimit, por fshihej në apartamente të marra me qira në emër të personave të tjerë. Përveç kësaj, kishte ndryshuar edhe tiparet e fytyrës përmes një operacioni plastik, me qëllim që të mos njihej.
Pas një pune të gjatë hetimore, efektivët e policisë arritën të identifikonin vendndodhjen e tij përmes gjurmimit të lëvizjeve të partneres së tij, një shtetase e huaj.
Policia zbuloi adresën ku ajo qëndronte dhe organizoi një operacion, gjatë të cilit R.B. u arrestua.
Ndërkohë, edhe partnerja e tij është proceduar penalisht, pasi dyshohet se e kishte strehuar dhe ndihmuar të fshihej nga autoritetet, vepër që parashikohet në nenin 283 të Kodit Penal turk. Pas arrestimit, ndaj të dy personave kanë nisur procedurat përkatëse ligjore.









