Home Aktualitet 4 tonë kokainë në muaj drejt Europës! Bosi shqiptar dyshohet se drejtonte...

4 tonë kokainë në muaj drejt Europës! Bosi shqiptar dyshohet se drejtonte trafikun nga burgu në Shqipëri, paguante 10 mijë euro për të jetuar në luks

4
0

Një organizatë kriminale shqiptare, e shtrirë në Valencia të Spanjës, dyshohet se kishte ndërtuar një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të kokainës, aktivitet të cilin e koordinonte edhe nga burgu në Shqipëri. Në krye të organizatës, sipas hetimeve të Policisë Kombëtare spanjolle, qëndronte një shtetas shqiptar, i identifikuar me inicialet I. Z., i cili pavarësisht se ndodhej pas hekurave, vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal përmes komunikimeve me bashkëpunëtorët e tij.

Hetimi ka zbuluar një plan ambicioz të grupit kriminal, i cili synonte të përdorte portin e Algeciras-it në Spanjë si një pikë të re hyrëse për sasitë e mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas autoriteteve spanjolle, objektivi i organizatës ishte transportimi i deri në katër tonëve kokainë në muaj, ndërsa ngarkesa prej 303 kilogramësh e sekuestruar së fundmi shërbente si një provë për të testuar funksionimin e kësaj rruge të re.

Sipas hetimeve të publikuara nga mediat spanjolle, 303 kilogramët e kokainës u transportuan nga porti brazilian i Itajaí-t, të fshehura mes një ngarkese të ligjshme me gjoks pule të ngrirë. Kontejneri kishte si destinacion kryeqytetin e Kepit të Gjelbër, Praia, por gjatë rrugës ndaloi në portin e Algeciras-it, ku ishte organizuar nxjerrja e lëndës narkotike.

Droga ishte vendosur në 28 kuti, të cilat udhëtonin së bashku me mallrat e tjera, pa dijeninë e supozuar të eksportuesit dhe importuesit. Kjo metodë, e njohur si ngarkesë parazitare ose “gancho perdido”, përdoret nga organizatat kriminale për të fshehur narkotikët brenda transportit të mallrave të ligjshme.

Për të mbikëqyrur mbërritjen dhe shkarkimin e drogës, organizata kishte dërguar në Spanjë një shtetas brazilian, i cili kishte udhëtuar disa ditë përpara mbërritjes së ngarkesës. Ai kishte rolin e vëzhguesit dhe dokumentonte procesin me një kamerë GoPro. Pamjet e regjistruara përfunduan më vonë në duart e policisë dhe të gjykatës së Valencias, duke u kthyer në një prej provave të rëndësishme të hetimit.

Bosi shqiptar komunikonte nga burgu dhe premtonte pagesa në kriptomonedha

Një prej detajeve më të rëndësishme të zbuluara nga hetuesit lidhet me mënyrën se si organizata drejtohej nga burgu në Shqipëri. Sipas Policisë Kombëtare spanjolle, I. Z. kishte arritur të mbante kontakte me njerëzit e tij në Spanjë dhe të koordinonte operacionin e trafikut pavarësisht izolimit.

Madje, ditën kur po realizohej shkarkimi i 303 kilogramëve kokainë, ai kishte zhvilluar një video-telefonatë me nipin e tij, i cili konsiderohej si një prej njerëzve kryesorë të organizatës në Valencia. Ky i fundit ndodhej në periferi të Algeciras-it, në një kafene, së bashku me zëvendësin e tij, në pritje të informacioneve për përfundimin e operacionit. Pak më vonë, të dy do të arrestoheshin nga autoritetet spanjolle.

Sipas hetuesve, gjatë komunikimit, kreu i dyshuar i organizatës shprehu kënaqësinë për realizimin e operacionit dhe garantoi pagesën e personave që kishin marrë përsipër nxjerrjen e kokainës nga porti. Pagesa ishte parashikuar të kryhej nëpërmjet USDT-së, një kriptomonedhë e lidhur me vlerën e dollarit amerikan, e cila dyshohet se përdorej nga organizata për të transferuar shuma parash pa përdorur kanalet tradicionale bankare.

10 mijë euro në muaj për të jetuar në luks në burg

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve spanjollë janë pretendimet e vetë I. Z. për kushtet në të cilat jetonte në burgun shqiptar. Sipas dokumentacionit të hetimit, ai u mburrej bashkëpunëtorëve se shpenzonte rreth 10 mijë euro çdo muaj për të siguruar privilegje dhe lehtësi gjatë qëndrimit në qeli.

Ai pretendonte se këto para shkonin për të korruptuar persona përgjegjës në burg, në mënyrë që të gëzonte kushte të ndryshme nga ato të të burgosurve të tjerë. Sipas të njëjtave të dhëna, ai kishte në dispozicion telefona për të komunikuar me jashtë dhe madje edhe shërbimin e një kuzhinieri të posaçëm. Këto pretendime janë pjesë e materialeve të mbledhura nga hetuesit spanjollë dhe lidhen me mënyrën se si i dyshuari vazhdonte të ushtronte ndikim mbi organizatën kriminale edhe gjatë vuajtjes së dënimit.

Pas goditjes në Valencia, organizata kërkonte porte të reja

Hetimi ka nxjerrë në pah edhe arsyet pse grupi kriminal kishte orientuar aktivitetin drejt portit të Algeciras-it. Deri rreth një vit më parë, porti i Valencias konsiderohej një prej pikave të rëndësishme për hyrjen e kokainës në Spanjë, për shkak të rrjeteve të personave që dyshohet se ndihmonin në nxjerrjen e ngarkesave të paligjshme.

Megjithatë, situata ndryshoi pas operacionit të madh policor “Spider”, të zhvilluar në shtator të vitit 2025, i cili çoi në shkatërrimin e të ashtuquajturit Karteli i Portit. Në atë operacion u arrestuan 81 persona, mes tyre 17 punonjës portualë. Pas kësaj goditjeje, organizatat kriminale u detyruan të kërkonin pika të tjera hyrëse për kokainën që vinte nga Amerika Latine. Një prej tyre ishte pikërisht porti i Algeciras-it, ku grupi i drejtuar nga I. Z. synonte të krijonte një linjë të re të trafikut.

Sipas hetuesve, plani nuk kufizohej vetëm te Brazili. Organizata kishte diskutuar mundësinë e sjelljes së ngarkesave edhe nga Kolumbia, Panamaja dhe Ekuadori, veçanërisht nga qyteti i Guayaquil-it, i konsideruar si një prej pikave të rëndësishme të nisjes së kokainës drejt tregut europian. Sipas Policisë Kombëtare spanjolle, ambicia e organizatës ishte të arrinte transportimin e rreth një ton kokainë në javë përmes portit të Algeciras-it, çka përkthehej në afërsisht katër tonë në muaj.

Ngarkesa prej 303 kilogramësh ishte menduar si një test për të verifikuar nëse rruga e re mund të përdorej për operacione shumë më të mëdha. Megjithatë, ndërhyrja e autoriteteve spanjolle dhe arrestimet e kryera i dhanë fund planit përpara se ai të shndërrohej në një linjë të konsoliduar trafikimi. Operacioni u zhvillua nga agjentët e njësive UDYCO Qendrore dhe GRECO Algeciras, në bashkëpunim me Shërbimin e Mbikëqyrjes Doganore të portit. Hetimet dokumentuan rolet e personave të përfshirë, komunikimet mes tyre dhe mënyrën e organizimit të transportit të kokainës.