Home Botë Elvis Demce tenton vetëvarjen në burgun e Operas në Itali, narkotrafikanti shqiptar...

Elvis Demce tenton vetëvarjen në burgun e Operas në Itali, narkotrafikanti shqiptar përfundon në terapi intensive!

4
0

Elvis Demce, një prej emrave të njohur të narkotrafikut shqiptar në Itali, ka tentuar vetëvrasjen në burgun e Operas, ku mbahej në regjimin e posaçëm 41-bis. Sipas mediave italiane, ai lidhi një çarçaf në qelinë e tij dhe tentoi të vetëvarej, por ndërhyrja në kohë e punonjësve të policisë së burgjeve bëri të mundur shpëtimin e tij. Demce u transportua me urgjencë në spital, ku aktualisht ndodhet në terapi intensive.

Sipas raportimit të gazetës italiane “Corriere della Sera”, kjo është tentativa e tretë për vetëvrasje e raportuar në lidhje me të. Avokati i tij, Massimiliano Capuzi, kishte kërkuar më herët transferimin në një strukturë të specializuar, ku ai të mund të merrte trajtim psikologjik dhe mjekësor.

Mbrojtja pretendon se Demce vuan nga çrregullime të rënda psikike, përfshirë sindromën bipolare me çrregullime psikotike dhe probleme të lidhura me përdorimin e substancave narkotike dhe varësinë nga medikamentet.

Megjithatë, kërkesa për transferim është kundërshtuar nga prokuroria dhe nuk është pranuar nga gjykata, për shkak të dyshimeve mbi gjendjen e tij reale shëndetësore dhe mundësinë që kërkesa të përdorej për të shmangur regjimin e rreptë të burgimit.

Demce po vuan një dënim përfundimtar prej 15 vitesh burg për trafik droge, vendim që u konfirmua nga Gjykata e Kasacionit më 28 maj. Ai përballet gjithashtu me procese të tjera gjyqësore, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në hetimet që lidhen me vrasjen e Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”.

Autoritetet italiane e konsiderojnë atë një person me rrezikshmëri të lartë kriminale, megjithëse nuk rezulton i dënuar për pjesëmarrje në organizatë mafioze.

Tentativa e fundit ka rikthyer në vëmendje kushtet e burgimit në regjimin 41-bis dhe debatin mbi të drejtën e të burgosurve për trajtim të specializuar mjekësor.