Kryeministri Edi Rama mbledh sot Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Në fokus të diskutimeve pritet të jetë organizimi elektoral i socialistëve, me vëmendje të veçantë te gara për Bashkinë e Tiranës.
Mbledhja është planifikuar të nisë në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut” dhe pritet që takimi të zhvillohet me dyer të mbyllura, por deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për këtë çështje. Kjo është mbledhja e radhës që Rama zhvillon me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Të premten, kryeministri mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në një takim në Kryeministri. Diskutimet u përqendruan te organizimi elektoral dhe intensifikimi i punës së strukturave të PS-së në të gjithë vendin.
Kryeministri u ka kërkuar socialistëve që prioritet të jetë vijimi i takimeve në terren, me qëllim evidentimin dhe adresimin e shqetësimeve të tyre. Rama gjithashtu u ka kërkuar përfaqësuesve socialistë të rrisin mobilizimin dhe të mos shkëputen nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.
Javën e kaluar më 14 nëntor, Rama mblodhi Asamblenë, ku fokusi ishte te zgjedhjet, ndërsa nuk munguan as kritikat dhe ndëshkimet për rebelët e partisë. Takimi në Lalëz u shënua nga përplasjet mes kryeministrit Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, pasi kreu i socialistëve kërkoi përjashtimin e saj dhe të avokatit Plarent Ndrecës nga forumet e Partisë Socialiste.
Kërkesa për përjashtimin e tyre nga partia nuk u hodh në votim, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi më pas se Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese, por do të mbeten anëtarë të partisë. Gjatë diskutimeve pati edhe kundërshtime nga disa figura socialiste, mes tyre Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe.









