Sot në orën 08:00 nis edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës, një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive në kryeqytet, ku do të marrin pjesë rreth 5,800 garues.
Risia e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, duke krijuar më shumë mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfshirjen e një numri më të madh vrapuesish në këtë aktivitet.
Për organizimin e maratonës janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Maratona do të sjellë kufizime të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve. Deri në orën 16:00, një pjesë e madhe e akseve kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara, përfshirë të gjithë Unazën e Vogël, bulevardin “Zogu i Parë” dhe Bulevardin e Ri.
Gjithashtu, pa qarkullim do të jenë segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e zonës së ish-Bllokut, si dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Për shkak të zhvillimit të garës, edhe disa linja të transportit publik urban do të devijojnë itinerarin e tyre gjatë ditës së sotme. Drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve u këshillohet të marrin parasysh kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet përmes rrugëve alternative.









