Home Kryesore Veliaj kërkon të marrë pjesë në seanca, letër gjykatës: Prej 10 ditësh...

Veliaj kërkon të marrë pjesë në seanca, letër gjykatës: Prej 10 ditësh kërkoj dokumentacionin. Prokurori Dado: S’ka emergjencë shëndetësore, kërkoi të shkonte në Asamblenë e PS

10
0

Letra e radhës e Erion Veliajt për gjykatën ishte një propozim për shtyrjen e procesit derisa të bëhet mirë me shëndet.

Duke kujtuar se dëshiron të jetë i pranishëm në gjykim, por që prej 10 ditësh po i refuzohet kartela mjekësore, Veliaj njoftoi si pengesë transportimin nga burgu i Fierit drejt GJKKO-së, përderisa për frakturën në këmbën e majtë nuk është ndërhyrë ende.

Por gjykata e rrëzoi kërkesën për shtyrje gjykimi, ndërsa kërkoi nëse SPAK disponon apo jo të dhëna zyrtare për gjendjen shëndetësore të të pandehurit.

Prokurori shpjegoi se ka pasur komunikime me email nga mbrojtja dhe se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka arsyet e saj se përse po e zbaton strikt rregulloren. Edhe më herët, Veliaj kishte kërkuar ndihmë nga gjykata për transferimin e tij.

“Kryeministri i Shqipërisë ka detyrimin për të bërë hetime mbi këtë situatë. Nuk duhet mbajtur krah apo anë akoma pa bërë asnjë hetim. Janë institucione kushtetuese të cilët kanë detyrime për të verifikuar se si është situata, mënyra se si është hyrë, mënyra se si është takuar, çfarë është thënë, tek është thënë.

Ne kemi thënë të vërtetën tonë dhe nëse ka pretendime për këtë të vërtetë, janë institucion që mund të hetojnë. Fakti që nuk kanë hetuar, fakti që nuk janë përgjigjur kërkesës tonë për komision hetimor, nuk i kemi bërë pa qëllim kërkesën e parë për komisionin hetimor, sepse ka nevojë për verifikim të dokumentit sekret, ka nevojë për atë çfarë pretendohet se është informacion sekret”, tha Ndreca.

Kur Ndreca insiston në gjykatë se nuk disponojnë ende një dokument konkret për gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt, edhe prokurori Dumani mbajti të njëjtin qëndrim, me pretendimin se SPAK nuk ka asnjë relacion mjekësor. Kolegu tjetër tha që situata nuk është emergjente.

“Nuk është as SPAK-u, as Drejetoria e Përgjithshme e Burgjeve që përcaktojnë se sa emergjente apo sa e rëndë është situata shëndetësore zoti Veliaj. Janë vetëm doktorët që përcaktojnë këtë. Doktori turk i spitalit memorial ka thënë shumë qartë që ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë ne nuk e kemi bërë ndërhyrjen pa u konsultuar me mjekët specialistë të qendrës tonë të traumës në mënyrë që të marrin një vendim përfundimtar që zoti Veliaj duhet ta bëjë apo jo dhe ku dhe si”, u shpreh Ndreca.

Në kohën kur gjykimi vijon në fazën e kërkesave paraprake të 19 të pandehurve, SPAK insiston se shëndeti nuk e pengon dhe shembulli ishte kërkesa për të marrë pjesë në asamble. Por edhe në këtë pikë Ndreca kundërshtoi me arsyetimin se Veliaj kërkoi të jetë i pranishëm fizikisht ose me videokonferencë përpara kësaj situate.

Në letrën drejtuar gjykatës, Veliaj shkruan:

“Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”.

Muajt e parë të refuzimit Veliaj kërkoi t’i vendoseshin në dispozicion të gjithë fashikujt, pasi sipas tij nuk i ishin dhënë. Ndërsa pasi gjykata pranoi këtë kërkesë, Veliaj kërkoi qe të gjykohej në sallë dhe të dilte nga kafazi i qelqtë, kërkesë që i është refuzuar.

Gjatë seancës, prokurori Altin Dumani deklaroi se Prokuroria nuk disponon dokumentacion mjekësor që të pasqyrojë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.

“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”.

Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se Prokuroria është e informuar për gjendjen shëndetësore të Veliajt. Sipas tij, klienti kërkon informacion mbi gjendjen e këmbës dhe grafitë për t’i konsultuar me një mjek, por nuk i vihet në dispozicion kartela mjekësore.

“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon info mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë”.

Pas diskutimeve në seancë, trupi gjykues u tërhoq në dhomën e këshillimit dhe pyeti dy prokurorët e SPAK nëse dispononin të dhëna zyrtare lidhur me gjendjen shëndetësore të Veliajt.

Prokurori i Posaçëm, Ols Dado, deklaroi se, sipas informacionit që disponon SPAK, Veliaj nuk ka pasur një situatë emergjente shëndetësore, ndërsa shtoi se mbrojtja ka pasur komunikime me email me institucionet përkatëse.

Prokurori Ols Dado u shpreh: “Në dijeni të SPAK, i pandehuri nuk ka pasur gjendje emergjente shëndetësore. Thuhet që ka nevojë për ndërhyrje. Në dijeninë time, e di që ka pasur komunikime me e-mail nga mbrojtja e Veliajt. Drejtoria e Burgjeve ka arsyet e saj dhe po e ndjek në mënyrë strikte rregulloren. Gjendja nuk është emergjente. I pandehuri ka kërkuar leje për të marrë pjesë fizikisht në aktivitete të tjera dhe nuk e ka penguar gjendja e këmbës”.