Detaje të reja kanë dalë nga sherri mes të burgosurve, i cili ndodhi ditën e sotme në burgun e Reçit në Shkodër. Në këtë konflikt janë përfshirë dy të dënuarit, Altedi Jolldashi dhe Sebastian Ogiçi. Bëhet me dije se Sebastian Ogiçi është dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë në bashkëpunim. Në vitin 2022, në Tiranë, ai dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, është paraqitur si efektiv i antidrogës dhe nën kërcënimin e armës, i ka kërkuar një 32-vjeçari t’u dorëzonte çantën.
Ndërkohë, Altedi Jolldashi është dënuar me 6 vite burg për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Ai u përfshi në vitin 2024 në një shkëmbim zjarri në Pogradec, ku mbeti i plagosur. Më herët, në vitin 2020, ishte arrestuar për transportim të lëndëve narkotike. Pas përplasjes në ambientet e burgut, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit, shkaqet që çuan në konflikt dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.









