Në GJKKO po zhvillohet seanca për Erion Veliajn, gjatë së cilës është lexuar një deklaratë e kryebashkiakut. Veliaj nuk është paraqitur në seancë, teksa sqaron në deklaratë se, nuk ia mundëson gjendja shëndetësore për shkak të këmbës së thyer.
Në deklaratën e lexuar gjatë seancës, ai ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin e tij mjekësor, duke kërkuar që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet në një spital të përzgjedhur nga familja e tij.
“Me gjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të Prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, shkruan Veliaj.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt për kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij. GJKKO thotë se kërkesa nuk ka bazë ligjore për t’u shqyrtuar prej saj dhe kompetenca i përket Drejtorisë së Burgjeve.
Të dielën, 22 nëntor, Veliaj refuzoi të paraqitej në spitalin Memorial të Fierit, për t’iu nënshtruar analizave mjekësore siç ia caktoi Drejtoria e Burgjeve, në kuadër të përgatitjeve për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë. Veliaj ka refuzuar, duke theksuar se do të presë vendimin e GJKKO-së lidhur me kërkesën e tij për operacionin.
“Unë jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirugrgjikale. Refuzoi të shkoj në spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj.
Ndërhyrja kirurgjikale ishte parashikuar të kryhej të hënën, më 23 nëntor. Ndërkohë, tashmë pritet vendimi i GJKKO-së për të përcaktuar nëse Veliaj do të mund ta kryejë ndërhyrjen në Tiranë, sipas kërkesës së tij, apo do t’i nënshtrohet procedurave mjekësore në Spitalin Memorial të Fierit.









