Ish-Prokurorit të Përgjithshëm nuk i pranohet kërkesa për parashkrimin e dënimit për fshehje pasurie.
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim për fshehje pasurie.
Llalla kishte kërkuar që dënimi i dhënë ndaj tij në vitin 2021, me vendim të formës së prerë, të konsiderohej i parashkruar, me argumentin se kishin kaluar afro pesë vite nga vendimi pa vuajtur dënimin me burg.
Kërkesa u shqyrtua në Gjykatën e Posaçme, pas shtyrjes së seancës së mëparshme, kur prokurorja e SPAK, Enkelejda Millonai, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e paraqitura në proces.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.
Adriatik Llalla vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Ai u largua drejt Italisë gjatë hetimeve ndaj tij, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Me rrëzimin e kërkesës, dënimi me dy vite burgim për ish-kryeprokurorin nuk konsiderohet i parashkruar.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg dhe 5 vite përjashtim nga shërbimet publike, për fshehjen e pasurisë në tre episode, në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi ai u largua nga vendi dhe zgjodhi të mos përballej me drejtësinë.
Llalla u arratis në Itali, ku kërkoi azil politik, por u arrestua në dhjetor të vitit 2021 në Romë. Më pas, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Lalla u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane. Më herët, mbrojtja e tij kishte kërkuar edhe në Gjykatën e Lartë pezullimin e dënimit me burg, duke argumentuar se Llalla vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Kërkesa nuk u pranua.









