Home Aktualitet VIDEO/ Në kërkim për vrasjen e Valter Fierzës, kapet pas 3 vitesh...

VIDEO/ Në kërkim për vrasjen e Valter Fierzës, kapet pas 3 vitesh 23-vjeçari, e pëson dhe shoku i tij

5
0

Policia ka arrestuar ditën e sotme një 23-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor në një vrasje të ndodhur tre vite më parë në fshatin Hot i Ri. Në kuadër të operacionit u arrestua edhe një 26-vjeçar, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me të riun e kërkuar. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme me lëndë narkotike. Të arrestuarit janë Luçian Mëhilli dhe Kristjan Çarkaj.

Sipas njoftimit të policisë, 23-vjeçari, banues në Shkodër ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të vrasjes me dashje, të kryer në bashkëpunim, armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve.

Ai dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, është përfshirë në vrasjen e shtetasit Valter Fierzës më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri. Dy të rinjtë u lokalizuan nga policia në aksin rrugor Shkodër–Prekal, ndërsa udhëtonin me një automjet tip “Opel”. Gjatë kontrolleve fizike dhe kontrollit në banesën e 23-vjeçarit, uniformat blu gjetën sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe dy telefona celularë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Target”. Kapet dhe ndalohet një 23-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri. Arrestohet në flagrancë edhe një 26-vjeçar, që udhëtonte në të njëjtin automjet me të, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis dhe kokainë, një automjet dhe 2 celularë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.

Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.