Home Kryesore Për kë e ka? Spiropali: Nuk është turp të jesh anëtar i...

Për kë e ka? Spiropali: Nuk është turp të jesh anëtar i thjesht i PS-së, por të vjedhësh

5
0

Elisa Spiropali ka bërë akuza të forta, duke theksuar se nuk e ka për turp që është anëtare e thjesht e PS-së, por të vjedhësh. Gjatë intervistës në emisionin “Top Story” në Top Channel Spiropali u ndal te deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, i cili tha se ajo është aktualisht një anëtare e thjeshtë e Partisë Socialiste dhe deputete.

Ajo u shpreh se nuk e konsideron aspak turp të jetë një anëtare e thjeshtë e PS-së, duke theksuar se legjitimiteti i të gjitha strukturave të partisë buron pikërisht nga anëtarësia. Më tej, ajo tha se nuk dëshiron ta vendosë udhëheqjen e partisë në një pozitë qesharake, duke i kërkuar të marrë një vendim për statusin e saj

“Kam zgjedhur të mos i komentoj në këto ditë, sepse fjala që unë mbajta në asamble nuk ka asnjë lidhje me atë që është thënë në publik, dhe për këtë nuk është faji juaj. Zgjodha të flisja në asamble për një vendim personal. në fakt për një fjali personale, i cili nuk kishte asnjë lidhje as me asamblenë, as me temën, as me rendin e ditës, madje as me statutin dhe as me zgjedhjet. Dhe nëse aty në asamble shumëçka që dukej nga natyrat tona reflektonte se kishte shumëçka për të qarë, në këtë reflektim të vonshëm ka shumëçka për të qeshur. Dhe do jem shumë e drejtpërdrejtë dhe shumë e vërtetë në atë që do them, jo vetëm për asamblenë, por për të gjithë mënyrën se si janë shtjelluar ngjarjet e këtyre muajve, ku unë kam zgjedhur të flas shumë pak, për të mos thënë që nuk i kam dhënë asnjë ushqim debatit publik ku është folur për mua.

Sot që flasim, unë nuk do ta vë as udhëheqjen e partisë sime, as partinë time në pozitën qesharake që t’i duhet të vendosë për një vendim pa vendim. Pra, e kam dëgjuar këto ditë Sekretarin e Përgjithshëm, Blendi Klosi, në mënyrë të paqartë, pasi u desh të sqaronte mosvendimin e tij, se Elisa Spiropali është sot një anëtare e thjeshtë e Partisë Socialiste dhe deputete. Pra, mënyra se si u fol për anëtarin e thjeshtë të Partisë Socialiste sikur të ishte ndonjë turp, është problem në vetvete. Unë e kam për nder të jem një anëtare e thjeshtë e Partisë Socialiste. Nuk është turp të jesh një anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste. Nga anëtari i Partisë Socialiste buron legjitimiteti i të gjitha strukturave në Partinë Socialiste. Turp është të vjedhësh, turp është të abuzosh me pushtetin, turp është të manipulosh opinionin publik, turp është të mos mbash përgjegjësi për vendimet e tua. Nuk është turp të jesh një anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste, nuk është turp të jesh një deputet në Kuvendin e Shqipërisë,” tha Spiropali.