Një konflikt mes disa të dënuarve është regjistruar paraditen e sotme në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Reç, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve. Pas incidentit, shërbimet e policisë së burgjeve kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën, ndërsa kanë nisur kontrollet në ambientet e institucionit, përfshirë edhe qelitë e të dënuarve.
Sipas të dhënave paraprake, personave të lënduar nga konflikti u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore nga stafi i institucionit. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkaqet që çuan në nisjen e sherrit, ndërsa mbetet e paqartë nëse gjatë kontrolleve në qeli janë konstatuar sende të ndaluara. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me rrethanat e incidentit dhe rezultatet e kontrolleve.









