Home Aktualitet Nga Korça drejt Hanit të Hotit dhe Morinës, si u zbulua transportimi...

Nga Korça drejt Hanit të Hotit dhe Morinës, si u zbulua transportimi i 9 emigrantëve

4
0

Tre persona janë arrestuar në Elbasan, pasi u kapën duke transportuar me dy automjete 9 emigrantë nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri i gjelbër në Korçë.

Policia bën me dije se operacioni i koduar “Tranzit 4” u finalizua në orët e para të mëngjesit, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe pesë aparate celulare.

“DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 4”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonin me dy automjete 9 emigrantë nga vendet e treta, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve dhe 5 aparate celulare.

Shërbimet e Sektorit kundër Krimit të Organizuar në DVP Elbasan, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve për një rast të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, finalizuan, në orët e para të mëngjesit të sotëm, operacionin policor të koduar “Tranzit 4”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. D., 25 vjeç, M. T., 21 vjeç dhe K. N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë duke transportuar me dy automjete 9 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nga kufiri i gjelbër në Korçë dhe do të transportoheshin në drejtim të pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.

Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.