Home Botë Greqia paralizohet sot nga greva 24-orëshe, qytetarët protestojnë kundër shtrenjtimit të jetesës,...

Greqia paralizohet sot nga greva 24-orëshe, qytetarët protestojnë kundër shtrenjtimit të jetesës, pagave të ulëta dhe kushteve të punës

4
0

Greqia është përfshirë sot nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, me mijëra punonjës të sektorit publik dhe privat që protestojnë kundër shtrenjtimit të jetesës, pagave të ulëta dhe kushteve të punës.

Greva është shpallur nga sindikata e nëpunësve të administratës publike, ADEDY, ndërsa asaj i janë bashkuar dhjetëra shoqata sindikaliste, federata dhe sindikata të sektorit privat si dhe studentë, pensionistë e fermerë.

Protestaorganiyohen ne më shumë se 65 qytete të vendit përfshirë Athinën dhe Selanikun.

“Nuk pajtohemi me rritjen e çmimeve, me pagat që mbeten në vendnumëro, me varfërinë energjetike dhe me gjendjen dramatike të shëndetësisë dhe arsimit publik”, thekson sindikata e nëpunësve të sektorit publik, ADEDY, në thirrjen e saj për grevë dhe pjesëmarrje në protestë.

Greva ka shkaktuar probleme në transportin publik, shkolla, spitale dhe shërbimet shtetërore. Anijet në shumë porte kanë mbetur të ankoruara, ndërsa metroja e Athinës funksionon vetëm nga ora nëntë e mëngjesit deri në gjashtë të pasdites.Gjithashtu në grevë marrin pjesë edhe nënpunësit e bankave .

Në 15 aeroporte rajonale janë anuluar fluturimet për shkak të pjesëmarrjes së punonjësve të shërbimeve të informacionit të fluturimeve në grevë. Megjithatë, aeroportet kryesore dhe fluturimet ndërkombëtare nuk janë përfshirë në një ndërprerje të përgjithshme.

Kërkesat kryesore të grevistëve janë rritje reale të pagave, rikthimin e pagës së trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë për administratën publike, më shumë personel në spitale dhe shkolla, si dhe masa për uljen e çmimeve dhe qirave.

Në qendër të pakënaqësisë është fuqia blerëse e familjeve greke.Sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit Grek të Statistikave, inflacioni në tetor arriti në 5,7% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht me 2,1%, por për disa produkte bazë rritjet ishin më të mëdha. Mishi i viçit u shtrenjtua me 6,5%, mishi i qengjit dhe i kecit me 9,1%, ndërsa vezët me 4,9% .Qiratë e banesave u rritën me 6,8% brenda një viti, ndërsa shpenzimet e përgjithshme të strehimit, përfshirë energjinë dhe ngrohjen, me 15,1%.

Opozita akuzon qeverinë Mitsotakis se rritja e pagave nuk po arrin të kompensojë shtrenjtimin e jetesës. Nga ana tjetër, qeveria argumenton se po ndërmerr masa për rritjen e të ardhurave dhe lehtësimin e barrës fiskale. Në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen ndërhyrje për mbështetjen e familjeve,rritje pagash ,shpërblim prej 500 eurosh në fund të vitit për administratën publike, ndërsa qeveria pret që inflacioni të ulet në 2,8% vitin e ardhshëm.