Home Kryesore VIDEO/ Skandal në Forumin e BE! Interpretohet në Bruksel kënga nacionaliste serbe...

VIDEO/ Skandal në Forumin e BE! Interpretohet në Bruksel kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”

6
0

Kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës “Oj Kosovo, Kosovo” është interpretuar në Bruksel, në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim Marta Kos. Kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të koncertit ku ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor.

Në ekranin e madh para audiencës shihen vargjet e këngës “Sa Kosova zora sviće”, i cili në shqip përkthehet “Nga Kosova zbardh agimi”.

Kënga njihet më shumë përmes refrenit “Oj Kosovo, Kosovo” dhe është një prej këngëve patriotike serbe që lidhet drejtpërdrejt me narrativën historike dhe nacionaliste të Serbisë për Kosovën. Ajo është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori dhe këngëtari serb Ljubomir Ljuba Manasijeviq, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389.

Kënga u regjistrua në vitin 1990, ndërsa më vonë u bë veçanërisht e njohur në diskursin nacionalist serb për Kosovën. Në tekstin e saj përmenden Graçanica, Vidovdani, princi Lazar dhe Millosh Obiliqi, figura të rëndësishme të traditës epike dhe fetare serbe. Por mesazhi politik bëhet edhe më i drejtpërdrejtë në vargjet ku thuhet se Kosova është tokë e tyre dhe se nuk do ta dorëzojnë.

Pas interpretimit të këngës patriotike serbe reagimet kanë qenë të shumta. Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami reagoi në platformën X, duke thënë se interpretimi i këngës serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.

“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme.

Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami.

Edhe kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se është skandaloze dhe e papranueshme ajo që ndoshi në Bruksel dhe po pret përgjigje nga komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, nën udhëheqjen e të cilës po mbahet aktiviteti.

Interpretimi i një kënge me mesazhe të tilla për Kosovën ngre pikëpyetje për ndjeshmërinë politike të përzgjedhjes së repertorit artistik në një aktivitet që synon të promovojë bashkëpunimin dhe afrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.